Objekti i destinuar për rininë, po mplaket pa u ndërtuar

23 Shtator, 2010

Një nga objektet më të kontestuara në Kosovë, ndërtimi i të cilit ka filluar para shumë viteve dhe përfundimi i punëve nuk duket askund, është “Palestra e Sportit” në Kamenicë.

I filluar të ndërtohet në mandatin e dytë qeverisës të z.Shaip Surdulli, i ndërprerë në gjysmë për shkak të keqpërdorimeve gjatë ndërtimit të tij (keqpërdorime të cilat raportohen edhe në Raportet e Auditorit Gjeneral), ishte premtuar që do të përfundohet në mandatin e z.Begzad Sinani, por punimet në këtë objekt ende nuk kanë përfunduar, madje as që kanë filluar.

Gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 2009, kryetari aktual pati premtuar se problemin e Palestrës së Sporteve do ta zgjidh që në vitin e parë të qeverisjes. Tani po i afrohemi fundit të vitit të parë të qeverisjes dhe me këtë objekt nuk ka ndodhë asgjë.

Në shumë komuna të Kosovës, objektet sportive kanë filluar të ndërtohen pas objektit në Kamenicë, dhe janë përfunduar shumë më parë. E deri sa komuna dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport të gjejnë fajtorin për keqpërdorimet në Palestrën e Sporteve, të rinjtë e Kamenicës duhet të vazhdojnë të luajnë futboll në asfalt. Kurse për sportet tjera, siç janë volejbolli, basketbolli dhe hendbolli, sporte për të cilat shumë të rinj të Kamenicës kanë treguar interesim dhe talent, nuk mund të zhvillohen për shkak të mungesës së kushteve.

Kurse, sot, po në këtë ditë më 23 shtator, festohet dita e rinisë në Kamenicë. Kësaj dite do ti bënte nderë një palestër sportive, dhe jo koncertet.


Buxheti i Komunës së Kamenicës 86 Euro për person

30 Korrik, 2010

Sa herë kur Buxheti i Kosovës dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim, fillojnë akuzat në mes partive politike se Qeveria e Kosovës, me rastin e ndarjes së buxhetit për komuna, ka favorizuar komunat e qeverisura nga PDK. Sa është kjo e vërtetë?

Për të kuptuar këtë, gazeta dy javore e publikuar nga BIRN, “Prishtina Insight”, ka bërë një analizë të buxheteve të komunave. Në shkrimin me titull “PDK Municipalities Financially Favoured” (Komunat e PDK të Favorizuara Financiarisht), gazeta ka llogaritur numrin e popullsisë në çdo komunë, buxhetin e ndarë dhe në bazë të këtyre dy indikatorëve ka llogaritur se në çdo komunë sa euro janë të ndara për person. Shembull: Kamenica është llogaritur të ketë 63.000 banorë dhe një buxhet prej 5.453.963 Euro, apo 86 Euro për person.

Marrë në përgjithësi, komunat e qeverisura nga PDK marrin buxhet prej mesatarisht 91 Euro për person; komunat e qeverisura nga LDK marrin 82 Euro për person; komunat e AAK 86 Euro për person.

Tabela më poshtë jep të dhënat për të gjitha komunat, duke llogaritur nga më e larta tek më e ulëta.


Mbulueshmëria mediatike e Komunës së Kamenicës

22 Korrik, 2010

Ditë më parë, në këtë bllog postova një lajm të gazetarit Musa Sabedini në gazetën “Lajm” të datës 16 korrik, i cili bënte fjalë për sepereacionet ilegale në Kamenicë. Menjëherë në këtë bllog erdhi një koment se shkrimi në fjalë në gazetën “Lajm” është kopjuar nga shkrimi në Radio Premiera. Dhe komentuesi kishte të drejtë. Shkrimi në “Lajm” ishte i njësojtë me atë në Radio Premiera. Dhe kjo radio lokale e kishte postuar këtë lajm më herët se sa gazeta.

Të njëjtën dukuri e vërejta edhe sot. Në gazetën “Koha Ditore”, në një hapësirë shumë të shkurtër, gazetari Nexhat Buzuki shkruan për dy lajme të reja për Komunën e Kamenicës. Njëri shkrim mban titullin “Në Kamenicë për 6 muaj 50 zjarre”, dhe tjetri “Vazhdon konfiskimi i lëndës drusore të prerë ilegalisht”. Posa lexova këto dy shkrime në gazetë, hapa faqen e Radio Premiera në internet dhe pash se po këto dy lajme janë postuar ditë më parë në këtë medium. Ngjashmëria në mes lajmit të Radio Premierës dhe lajmeve në “Koha Ditore” është shumë e përafërt.

Tani, mund të supozoj se gazetarët e “Kohës Ditore” dhe “Lajm”, të cilët banojnë në Gjilan, kanë marrëveshje me Radio Premierën që shkrimet e kësaj të fundit ti marrin dhe ti publikojnë copy-paste në gazetat për të cilat shkruajnë. Nëse nuk ka ndonjë marrëveshje të tillë, atëherë gazetarët do të duhej që në shkrimet e tyre në gazeta të citonin burimin e lajmit.

Por shqetësimi im është ky: se Komuna e Kamenicës nuk ka mbulueshmëri të mjaftueshme mediatike. Siç shihet nga këta shembuj, Radio Premiera përveç që mbulon komunën si medium në vete, ajo i shërben si material edhe dy gazetave më të mëdha ditore. Kjo bën që mos të ketë llojllojshmëri të informacionit për Komunën e Kamenicës. Edhe pse një komunë e vogël dhe jo me shumë zhvillime që vlen të përmenden edhe në mediumet jashtë Kamenicës, gazetat ditore duhet që të angazhojnë gazetarë që jetojnë në Komunën e Kamenicës dhe jo kjo komunë të mbulohet nga Gjilani.


Edhe një herë për seperacionet

16 Korrik, 2010

Tre muaj më parë, në këtë blog kemi trajtuar problemin e seperacioneve ilegale në Komunën e Kamenicës. Ky shkrim ishte kritikuar nga zyrtarët komunal si i pavërtetë dhe u tha se të gjitha seperacionet në Kamenicë janë legale. Në një shkrim të gazetës LAJM, të datës 16 korrik 2010, trajtohet po kjo temë e seperacioneve ilegale. Shkrimi i gazetarit Musa Sabedini konfirmon edhe një herë raportin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) se në Komunën e Kamenicës operojnë seperacione ilegale. Në shkrimin e gazetës LAJM, thuhet se puna e këtyre seperacioneve u ka shkaktuar telashe shumë banorëve. Madje, sipas LAJM-it, mos adresimi i problemit të seperacioneve ka pruar edhe deri tek konfliktet brenda vetë zyrtarëve komunal.

Shkrimin e Kamenica Blog për seperacionet të publikuar më 13 prill 2010 mund ta lexoni duke klikuar këtu.


Pasuria e politikanëve të Komunës së Kamenicës

3 Qershor, 2010

Agjencia Kundër Korrupsion, të hënën ka publikuar pasurinë e të gjithë zyrtarëve publik në nivel qendror dhe komunal. Apo më saktësisht vetëdeklarimet e pasurisë të zyrtarëve publik, ngase AKK ende nuk ka mekanizma që mund të vërtetoj saktësinë e këtyre deklarimeve. AKK kërkon nga qytetarët që ta ndihmojnë me informata se sa të sakta janë deklarimet e pasurisë që i kanë bërë vetë zyrtarët që mbajnë poste publike.

Nga ata që kanë qenë të detyruar që të deklarojnë pasurinë, janë edhe katër zyrtarë publik të Komunës së Kamenicës:

Për të ditur pasurinë e këtyre katër liderëve komunal, klikoni mbi emrat e shënuar më sipër, ose vizitoni direkt faqen zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsion http://www.akk-ks.org/.


Menaxhimi i Buxhetit të Komunës së Kamenicës në 3 mujorin e parë të 2010

28 Maj, 2010

Komuna e Kamenicës, në sajtin e saj zyrtar, ka publikuar vetëm një raport financiar deri më tani. Ky raport është i drejtorit të Drejtorisë së Ekonomisë, Buxhetit dhe Financave, dhe mban datën 22 mars 2010. Nga ky raport nuk mund të nxirni asnjë të dhënë për menaxhimin e buxhetit komunal. Raporte tjera nuk janë paraqitur. (Nuk e kuptoj arsyen se përse dikujt në komunë i teket të publikoj një raport javor dhe mos të ndjek këtë rregull edhe në javët tjera!).

Mirëpo, një raport tremujor i buxhetit për vitin 2010 është hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF), duke u bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Në këtë raport është përfshirë edhe Komuna e Kamenicës.

Sipas raportit, numri i të punësuarve aktual në Komunën e Kamenicës është 1159 punonjës (në administratë, arsim dhe shëndetësi). Është fjala për periudhën 1 janar-31 mars 2010. Ky numër është për 9 punonjës më i madh se sa që është paraparë me Ligjin për Buxhetin 2010 të Republikës së Kosovës. Mirëpo, siç do të tregojnë raportet e mëvonshme, numri i të punësuarve është më i madh se sa 1159, ngase në raportin e tre mujorshit të parë nuk janë llogaritur 33 punonjësit e punësuar në maj 2010.

Por prapë se prapë numri prej 1159 punonjësve aktual është më i vogël se numri prej 1321 punonjësve që ishin të angazhuar në tremujorin e parë të 2009. Por qeverisja e kaluar dhe qeverisja e tanishme, nga shumë të përbashkëta, kanë edhe këtë: mos respektimi i procedurave dhe ligjeve kur është fjala për angazhimin e kuadrove në administratë, shëndetësi dhe arsim.

Shpenzimi i buxhetit të komunës së Kamenicës në tre mujorin e parë ka arrit shkallën prej 17%. Menaxhimi i buxhetit në këtë periudhë është më i dobët se ai i të njëjtës periudhë të një viti më parë, kur ishin shpenzuar 18.1% e mjeteve buxhetore. Vetëm 3% e mjeteve të destinuara për investime kapitale janë përdorur.

Tabela 1:

(Kliko mbi tabelë për lexim më të qartë)

Sipas këtij raporti, Komuna e Kamenicës në tre mujorin e parë ka arrit të arkëtoj të hyra vetanake në vlerë prej 115,623 Euro, apo 4% më pak se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2009.

Tabela 2 më poshtë paraqet të gjitha të hyrat sipas kategorive:

Llojet e të hyrave vetanake: Shuma 2010 (€)
Tatimi në pronë 26,402.00
Taksat 61,783.00
Gjobat, dënimet, konfiskimet 640.00
Licencat 5,815.00
Shitja e pasurisë/shërbimeve 15,431.00
Të hyrat nga inspektimi 1,003.00
Total 111,073.00

Tabela 3 paraqet pagesat sipas kategorive:

Pagesat Shuma (€)
Rrogat mujore me orar të plotë 787,337.00
Tatimi i ndaluar në të ardhurat personale 24,365.00
Kontributi pensional-punëtori 42,724.00
Kontributi pensional-punëdhënësi 42,724.00
Shpenzimet e udhëtimit 2,851.00
Shpenzimet komunale 10,371.00
Shërbimet e telekomunikimit 2,091.00
Shpenzimet për shërbime 437.00
Blerja e mobilieve&paisjeve më pak se 1000 € 595.00
Blerje tjera mallra&shërbime 16,562.00
Derivatet&lëndët djegëse 16,621.00
Shërbimet e regjistrimit&sigurimeve 1,300.00
Mirëmbajtja 3,791.00
Qiraja 400
Shpenzimet e marketingut 90
Shpenzimet e përfaqësimit 90
Subvencionet 4,640.00
Ndërtimi i rrugëve 42,056.00
Total 999,045.00

Nga 27 projektet kapitale të parapara me buxhet 2010, vetëm njëri prej tyre ka filluar.

Tabela 4: Investimet kapitale.

(Kliko mbi tabelë për lexim më të qartë)

Ky raport, është edhe një dëshmi shtesë se menaxhmenti aktual i komunës nuk e ka filluar në mënyrë të duhur qeverisjen e saj katër vjeçare dhe nuk dallon në asnjë aspekt nga qeverisja e kaluar.


Edhe një konkurs i mbrapsht

21 Maj, 2010

Me rastin e shpalljes së konkursit për pranimin e 33 punonjësve në administratën komunale të Kamenicës, në këtë bllog patëm kritikuar shpalljen e konkursit në gazetën “Bota Sot” e cila është e afërt me LDK. Kjo kritikë bazohet në ligjet në fuqi në Kosovë dhe në parimet e një qeverisjeje të drejtë. Përmbyllja e konkursit për pranimit e 33 punonjësve të rinj tregoi se ashtu siç kishte filluar ky konkurs në mënyrë jo të rregullt, ashtu edhe kishte përfunduar – u bënë pranime në baza partiake.

Largimi i 48 punonjësve dhe shpallja e konkursit ishte arsyetuar me atë se nën qeverisjen e PDK këta punonjës ishin pranuar pa konkurs e pa ndonjë kriter. Mirëpo ku është dallimi në mes: pranimit të punonjësve pa konkurs (e cila është e vërtetë se ka ndodhë në kohën e PDK) dhe pranimit të punonjësve përmes një konkursi sa për sy e faqe (gjë e cila ka ndodhur nën qeverisjen LDK-AAK)? Për mendimin tim këto janë të njëjta. Mënyra e parë i privon qytetarët nga e drejta për të pasur mundësi të barabarta në pranimet që bëhen në shërbimin civil; mënyra e dytë le që i privon qytetarët nga kjo mundësi, por edhe i maltreton me mbushje të aplikacionit, teste, intervista, shpenzime.

Dje, më 20 maj 2010, Komuna e Kamenicës ka hapur edhe një konkurs – atë për pranimin e 12 drejtorëve në 9 shkolla të mesme të ulëta dhe 3 shkolla të mesme të larta. Sërish ky konkurs është filluar në mënyrë jo të rregullt, duke u shpallur në gazetën “Bota Sot”. Kjo formë e shpalljes së konkurseve është kritikuar edhe në një raport të OSBE me titull Tirazhi dhe Politizimi i Mediave të Shkruara në Kosovë”. Në këtë raport mund të gjeni të dhëna se si institucionet në nivel lokal dhe qendror shpallin konkurse në ato gazeta të cilat konsiderohen më të afërta me partitë në pushtet.

Konkursi për drejtor të shkollave, ashtu si ka filluar, jo drejtë, ashtu edhe do të përfundoj, jo drejtë. Tani, shkollat e kanë radhën që të qeverisen nga drejtorët e LDK dhe AAK. Kemi zëvendësuar një qeverisje të keqe dy vjeqare, me një qeverisje të keqe katër vjeqare.