Shkrime

Publikuar në gazetën ‘Zëri”, 6 gusht 2010.

KosovaLeaks

Agron Demi

Për dallim nga WikiLeaks ku zyrtarë të qeverive të ndryshme nëpër botë bashkëpunojnë për publikimin dokumenteve të klasifikuara si sekrete, në Kosovë zyrtarët qeveritar angazhohen për fshirjen e informatave publike.

Mëngjesi i së hënës së 25 korrikut 2010 gdhiu me një lajm që tronditi qeveritë aleate në luftën e Afganistanit dhe Irakut dhe lumturoi shumë gazetarë, historian dhe të tjerë (ndër ta edhe skenarist hollywoodian) për të vërtetën e luftës së SHBA në Lindjen e Mesme. “WikiLeaks”, një uebfaqe e krijuar në korrik të 2007 me qëllim të rritjes së transparencës dhe publikimit të dokumenteve që klasifikohen sekrete, arriti që të publikoj mbi 90.000 dokumente sekrete të ushtrisë amerikane. Publikimi i këtyre dokumenteve është suksesi më i madh i kësaj uebfaqe, e cila për këto tri vite ka arrit që të publikoj me mijëra dokumente sekrete, jo vetëm të SHBA, por edhe vendeve tjera, përfshirë edhe Kosovën.

Një vit më parë kisha rastin që nga kjo uebfaqe të lexoja raportin e shërbimit sekret gjerman (BND) të 2005  për disa nga liderët politik kosovar, lidhjen e tyre me bizneset dhe krimin e organizuar. Në WikiLeaks janë publikuar edhe raporte tjera sekrete që kanë të bëjnë me Kosovën. Është publikuar një seri e dokumenteve konfidenciale të hartuara nga njësia e UNMIK-ut për hetime (UNMIK Investigation Task Force) për keqpërdorimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Keqpërdorimet e hetuara në bazë të këtyre raporteve kanë të bëjnë me procedura të tenderimit, blerjen e uniformave për stafin e aeroportit, keqpërdorimi i të hyrave nga parkingu i aeroportit. Në një rast kjo njësi i raporton drejtpërdrejtë edhe ish zëvendës administratorit të UNMIK-ut, për hetimet ndaj atyre që kanë shfrytëzuar pozitën zyrtare në këtë kompani me qëllim për të përfituar seksualisht nga vartëset e tyre femra, nën kërcënimin për largim nga puna. Në WikiLeaks gjenden edhe disa raporte të Shërbimit për Hulumtime të Kongresit të SHBA të hartuara gjatë luftës së Kosovës dhe raporte për keqsjelljen e stafit ndërkombëtar të UNMIK-ut. Të gjitha këto raporte, siç duket nga përmbajtja e tyre, janë publikuar nga vetë punonjës ndërkombëtar të UNMIK-ut.

Numri i dokumenteve sekrete që prodhon Qeveria e Kosovës është shumë i vogël, për të mos thënë nuk ka fare dokumente që mund të klasifikohen me të drejtë si “sekret shtetëror”. Dokumentet në të ndjeshme që Kosova ka prodhuar deri më tani kanë të bëjnë me strategjitë e Qeverisë së Kosovës për luftimin e krimit të organizuar, luftimin e terrorizmit, strategjinë kundër drogave, strategjinë e sigurisë, etj. Të gjitha këto dokumente janë bërë publike dhe nuk paraqesin sekret shtetëror. Madje edhe kriminelët që marrin pjesë në krim të organizuar mund të lexojnë strategjinë e Kosovës që përmban hapat për luftimin e tyre. Dokumenti më sekret që është miratuar deri më tani nga Qeveria e Kosovës është Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë. Për shkak të mos funksionalizimit të plotë të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, ende nuk dihen format e raporteve dhe grumbullimit të informatave nga ky agjencion.

Mirëpo, ajo çfarë kanë nevojë qytetarët e Kosovës nuk është një “WikiLeaks” për publikimin e informatave të klasifikuara dhe që përmbajnë sekrete shtetërore të sigurisë dhe të inteligjencës, por një “WikiLeaks” për publikimin e dokumente publike. Në shumë vende demokratike dokumentet zyrtare/publike janë lehtësisht të qasshme për publikun e gjerë ose mund të jenë të qasshme në bazë të kërkesave të parashtruara. Shoqërisë kosovare i nevojitet një “WikiLeaks i kosovarizuar” i cili do të publikonte të gjitha dosjet e privatizimit të ndërmarrjeve publike; gjithë dokumentacionin tenderues të të gjitha zyrave të prokurorimit në nivel qendror dhe lokal; Kontratën e Qeverisë së Kosovës me koncorciumin Bechtel&Enka për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare; madje edhe vetë procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës, të cilat Rregullorja e Punës së Qeverisë së Kosovës i klasifikon si tepër sekrete.

Përkundër investimeve të shumta në krijimin e portaleve të institucioneve publike në internet, miratimit të dy ligjeve dhe disa udhëzimeve administrative për Qasje në Dokumente Zyrtare/Publike, raportimeve në media, si dhe fushatat avokuese të shoqërisë civile, është arritur shumë pak progres në rritjen e transparencës të institucioneve publike. Për dallim nga WikiLeaks ku zyrtarë të qeverive të ndryshme nëpër botë bashkëpunojnë për publikimin dokumenteve të klasifikuara si sekrete, në Kosovë zyrtarët qeveritar angazhohen për fshirjen e informatave që për nga klasifikimi ligjor janë publike. Të dy këto veprime janë jo ligjore, mirëpo nëse do të duhej të përcaktohemi për njërën, më me dëshirë do të zgjidhja të parën. Në vendin tonë, kur dokumentet publike fshihen, publikimi i dokumenteve sekrete duket luks.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: